©2019 by alphaPlan. Proudly created with Wix.com

Kampi i parë veror i Code for Albania tashmë ka përfunduar…

27 pjesëmarrës kanë nisur rrugëtimin e tyre për të shkuar më pranë frontit botëror të teknologjisë, dhe për ne mundësia që të përshkojmë këtë rrugëtim me ta do të thotë shumë. 2019 do të ngelet përgjithmonë në mendjen tonë, si viti në të cilin po nisim këtë mision për të çliruar potencialin e vendit tonë në fushën e teknologjisë. Dhe çfarë e bën edhe më mbresëlënës këtë vit të parë të aktivitetit tonë është entuziazmi që shikojmë te nxënësit tanë, jo vetëm në ditën e parë të programit, por shumë më shumë në ditën e fundit të tij. Janë pikërisht disa nga këto aspekte reflektimi mbi kampin tonë të parë veror mbi të cilat dua të flas sot.

 

Unë, Ori, nuk pata mundësinë të isha pranë nxënësve më shumë se ditën e parë të Code for Albania, por edhe nga kaq larg, nga San Francisco, mund të ndjeja pasionin e madh me të cilin po punohej në Tiranë, si nga ana e instruktorëve, ashtu edhe nga nxënësit. Ditën e fundit të kampit të gjithë po shkëmbenin numrat e telefonit me njërit-tjetrin, duke premtuar që do të qëndronin në kontakt – kjo vërtet më bëri që të prekem edhe mua nga kaq larg. Fundja, është qëllimi ynë të krijojmë një komunitet, e të shikosh hapat e parë të formimit të këtyre lidhjeve të forta është me të vërtete emocionuese.

Okay, mund të themi që po ndërtojmë një komunitet të fortë në aspektin shoqëror, por a ja kemi dalë ndopak të sjellim këta pjesëmarrës më afër “kolegëve” të tyre në Silicon Valley? A janë nxënësit tanë më të predispozuar tashmë për tu fokusuar në fushën e teknologjisë në të ardhmen dhe të kthejnë sytë nga vetja kur të shikojnë diçka që nuk shkon në komunitetin përreth tyre?

Nga përgjigjet e nxënësve tanë pas kampit, besoj se po ecim në drejtimin e duhur edhe në aspektin “teknik” të Code for Albania. Është impresionuese kur shikon mini-projektet e nxënësve tanë në fund të programit. Shumë prej tyre mua vetë më kthyen pas në kohë – nxënësit tanë zhvilluan, në grupe prej 3 vetash, lojra dixhitale me të cilat unë vetë kam kalur fëmijërinë, si Helicoper apo Space Invader. Jo vetëm kaq, por kur shikon prezantimet e tyre mbi këto mini-projekte, shikon të theksuara aspekte goxha komplekse, sidomos kur merr parasysh që po flasim për 15-vjeçarë. E dini se për çfarë mund të flisja unë kur isha 15 vjeç? Për Bayern Munich, and that’s pretty much it. Noshta edhe për 100 Vitrinat…

Por nxënësit tanë diskutojnë aspekte të punës në grup që bën diferencën midis një projekti të suksesshëm dhe një mediokër. Ata flasin për diferencën midis empatisë dhe simpatisë (Kush është 100% i sigurt që mund ta bëjë dallimin pa përdorur Google?). Si të japësh feedback konstruktiv në grup e si të negociosh brenda grupit mbi përgjegjesitë e gjithësecilit. E pra, janë pikërisht këto observime që na bëjnë krenar për punën tonë. Komente që kemi marrë nga nxënës të ndryshëm si: “Po të ishte edhe shkolla kështu do të shkoja çdo ditë me shumë dëshire,” – na bëjnë të mendojmë se po bëjmë diçka mirë e në të njëjtën kohë na motivojmë për të reflektuar se si mund të punojmë edhe me mirë në të ardhmen. Këta nxënës padiskutim që meritojnë më të mirë duke qenë se ata vetë po japin më të mirën e tyre.

Duket se të gjithë pjesëmarrësit janë të kënaqur me instruktorët tanë, por nga feedback-u dhe nga analiza e kujdesshme, përmes shumë diskutimesh midis antarëve të Code.X dhe alphaPlan, shikojmë se struktura e organizimit të ditës dhe të mënyrës së diseminimit të informacionit mund të përmirësohet në vazhdim.

8 orë mësim në ditë mund të jetë konsumuese deri diku për nxënësit, ashtu edhe për instruktorët. Jo vetëm kaq, por një strukturë e tillë, kaq uniforme, mund të disavantazhojë individët që thithin informacion në mënyra alternative, si të lexuarit në qetësi apo të ri-shkruarit dhe të reflektuarit mbi informacionin e ri. Vitin e ardhshëm, e në fakt duke filluar që gjatë programit këtë vit shkollor, ne do të eksperiemntojmë me mënyra alternative didaktike për të siguruar që të gjithë në program po marrin maksimumin e kurrikulës së Code.X.

Një aspekt tjetër për të cilin ekipi i alphaPlan po mendon shumë fort për të përmirësuar, është se si të konkretizojmë pjesën e Design Thinking të kurrikulës. 96% e pjesëmarrësve shprehen se ata e kanë të qartë tashmë se çfarë do të thotë Design Thinking apo Mentalitet Krijues, por nga diskutime më të imëta kemi kuptuar që do të ishte me eficente nëse ata vetë do te vinin në jetë disa nga ato përkufizime dhe analiza parimore të cilat kanë shqyrtuar me instruktorët.

Dhe së fundmi, duke filluar nga Vjeshta 2019, alphaPlan po ndërmerr hapa konkretë për t’i bërë këta pjesëmarrës të ndihen jo vetëm pjesë e një komuniteti në Shqipëri, por pjesë e një komuniteti global, së pari duke i lidhur ata me role models nga Silicon Valley dhe Europa Perëndimore, por eventualisht edhe duke i lidhur ata me kohortët simotra në Kinë, Nigeri dhe Palestinë, nëpërmjet rrjetit të Code.X. Siç jemi shprehur edhe më parë, Silicon Valley 2.0 nuk do të jetë më një vend gjeografik, por një vend virtual, global, gjithëpërfshirës.

 

Mbetemi në kontakt dhe të përjetojmë së bashku metamorfozën teknologjike të vendit tonë.

This site was designed with the
.com
website builder. Create your website today.
Start Now