©2019 by alphaPlan. Proudly created with Wix.com

Përshëndetje unë jam Ani Gurabardhi, aktualisht vazhdoj studimet në fushën e inxhinierisë civile por përpara se të vendosja për këtë drejtim për një farë kohe ndoqa studimet për informatikë dhe shkenca kompjuterike. Experienca që mora gjatë studimeve në IT ka pasur një impakt shumë më të rëndësishem dhe të fuqishëm se ç’mund ta kisha parashikuar në të gjithë projektet dhe detyrat që kam ndërmarrë deri më sot. Dhe pikërisht për këto experienca dua të flas pak këtu dhe më konkretisht se si një formim i mirë në IT ofron mundësi të pafundme në tregun e punës të ditëve të sotme, pavarësisht nga profesioni.

 

Në vazhdim do të marr si shembull tregun e punës në Gjermani edhe pse trendet janë të ngjashme në të gjithë botën perëndimore. Statistikisht sot në tregun e punës 20% e profesioneve janë në “rrezik” automatizimi dhe në të ardhmen është e sigurt që ky numër do vazhdoje të rritet. Ironikisht, pavarësisht këtij trendi, në Europën Perëndimore ka një rënie të vazhdueshme të interesit të studenteve apo profesionistëve të rinj të ndjekin karriera në fushat që mbështesin këtë trend. Shkencat kompjuterike dhe informatika kanë njëkohësisht një nga numrat më të ulët të aplikantëve dhe numrin më të madh të studentëve që i ndërpresin studimet pa i përfunduar. Kjo mungesë fuqie punëtore ka bërë që Anglia dhe Gjermania haptazi të kerkojnë expertë në IT nga e gjithë bota, ndërkohë që në mënyrë aktive mundohen të shtyjnë të rinjtë drejt fushave të teknologjisë. Statistikat thonë që nëse ky trend vazhdon kështu, 30% e vendeve të punës në këto sektore do mbeten të pambushura në 10 vitet e ardhshme.

 

Si rrjedhojë e kësaj klime, për të shmangur këtë problem shumë nga universitetet më prestigjoze në Gjermani kanë filluar t’i përfshijnë klasat e kodimit si pjesë e kurrikulës të të gjithë degëve shkencore ku krahas njohurive teknike dhe aftësive praktike studentet inkurajohen që të mundohen të kuptojnë se si lënda ose praktika mund të automatizohet me ndihmën e aplikacioneve ose programeve. Shpesh herë nxënësit mësojnë se si këto programe ti ndërtojnë nga zero ose t’i përshtasin vetë në varësi të nevojave të tyre, këtu aplikohet automatikisht edhe ‘design’ dhe ‘creative thinking’. Duke qënë një nga vendet me industritë më të zhvilluara në botë, pavarësisht nga profili i i punës, shpeshherë profesionistëve të rinj i kërkohet të dinë të punojnë në mënyrë imediate apo që në një kohë të shkurtër të mësojne të përdorin teknologji të reja dhe software që vazhdimisht vijnë duke ndryshuar dhe duke u përmiresuar. Shembuj perfektë të këtij fenomeni janë industria automobilistike dhe inxhinieria civile, në të dyja këto disiplina aftësia për të dixhitalizuar projektet dhe për të punuar me to në këtë format është po aq e rëndësishme sa aftësia e inxhinierit për të bërë punën që i kërkohet. Madje në vitet e fundit ky trend nuk është më i izoluar vetëm në fushat e teknologjise ose inxhinierisë, por edhe në fushat e financës/ekonomisë dhe biznesit sa vjen e më shumë po punojnë me programe të personalizuara dhe diverse, bazuar në nevojat specifikë të biznesit ose kompanisë.

 

Në këtë pikë është pothuajse e sigurt që në një të ardhme të afërt të gjithë profesionistëve të rinj do t’i duhet nje formim sado bazë në IT krahasuar me kërkesën e njohurive të gjuhës angleze të shumë viteve me parë. Është e vërtetë që qëllimi i teknologjisë dhe automatizimit është për të lehtësuar dhe përmirësuar punën, por kjo atmosferë mund të bëhet shumë problematike shumë shpejt nëse e gjen veten të paaftë t’i përdorësh këto vegla që të janë vënë në dispozicion.

 

Kjo nuk vlen vetëm për profesionistët e rinj por edhe për studentet që fillojne studimet në universitet - aftësia për të programuar ose për të përdorur programe ekzistente në forma kreative ofron avantazhe të dukshme në çdo hap, si në përgatitjen e punëve shkencore dhe detyrave në formë më të saktë dhe të qartë, por gjithashtu edhe në kuptimin e përthithjen e temave abstrakte duke i parë të aplikuara ose të ilustruara në programe kompjuterike. Dicka që ndoshta nuk është e qartë gjithmonë është se në universitete, sidomos në degët shkencore, shumë njohuri që studentët duhet t’i kenë, merren si të mirëqëna. Shembuj që mund të përmend nga experienca personale janë përdorimi në mënyrë sa më efiçiente i Excel-it dhe programeve për të ndërtuar prezantime vizuale të koncepteve matematikore si MATLAB etj. Shumë detyra dhe projekte që kanë volume të konsiderueshme të dhënash që duhen përpunuar dhe përpiluar janë të pamundura pa këto platforma, ose puna bëhet shumë shpejt problematike dhe kohë-konsumuese nëse studentët nuk dinë ta automatizojnë proçesin. Shpeshherë ndodh që gjatë studimeve në fusha shkencore do përballeni me situata ose problema matematikore që devijojne nga mënyrat standarde të zgjidhjes, dmth aplikimi i formulave ose parametrave të dhëna nuk do të japë pergjigjje. Në këto raste shpesh është e nevojshme të kryhet një studim ose testim i rastit, metodë e cila është pothuajse e pamundur pa e ndërtuar problemin në mënyrë vizuale për të parë se ç’po ndodh me sistemin dhe për të arritur në një përgjigjje logjike. Këto shembuj i mora sepse në fushat teknike, rastet që nuk i përgjigjen rregullave bazë ose rastet e veçanta janë pothuajse të përditshme, pasi janë mënyra më e mirë për të kuptuar materialin dhe për të përforcuar mendimin kritik dhe kreativ tek studentët. Ia vlen për tu marrë parasysh ky fakt sepse për shumë universitete është i vetkuptueshëm, edhe pse të jepen të gjitha mjetet e nevojshme, pasi aksesi tek programet ofrohet direkt nga shkolla, nevoja a priori për këtë ‘mindset’ dhe këto aftësi teknike shpesh i gjen studentët të papërgatitur e mund t’i penalizojë në rezultate.

 

Duke e ditur këtë, sa vjen e më shumë, studentët të cilët janë të apasionuar për degët teknike, përpara se të futen në universitete ndjekin kurse programimi. Pikërisht pra, ishin këto trende e ky ambjent që i pret të rinjtë e sotëm në të gjithë botën qëna dha ne shtysën për Code for Albania - një program, benefitet e vërteta të të cilit, kam besimin që shumë nga studentet pjesëmarres do t’i shohin gjatë në të ardhmen. Mundësitë për punësim, karrierë të suksesshme dhe zhvillim në këto fusha janë të pafundme si në vendet e zhvilluara sot, ashtu dhe në vendin tonë, në një të ardhme bazuar në vizionin tonë për një Shqipëri që do të bëhet pjesë e këtij rrjeti ndërkombëtar vendesh që ofrojnë profesionistë të një klasi botëror në fushën e teknologjisë. Ka qënë një kënaqësi të shikojmë reagimin dhe entuziazmin që të rinjtë shqiptarë kanë treguar për të marrë përsipër sfidat që këto fusha paraqesin. Na mbush me shpresë dhe na shtyn perpara kjo deshirë e tyre për të kërkuar mënyra të reja se si të sjellim zhvillimet më të fundit në teknologji për t’i ofruar atyre mundësinë të mësojnë dhe të jenë në të njëjtin pozicion starti si të rinjtë në të gjitha vendet e zhvilluara në botë. Me qëllimin për të shtyrë sa me shume të rinj shqiptare që ndoshta kanë ndrojtje ose thjesht nuk kanë informacion të mjaftueshem mbi atmosferën në fushat e teknologjisë, në dhjetor do të zhvillojmë në Shqipëri “‘Hour of Code” - një iniciative botërore për të sensibilizuar dhe edukuar fëmijët e të gjitha moshave rreth teknologjise me shpresën që duke i ndihmuar ata të kuptojnë teknologjinë, do të ndezim tek ta kuriozitetin, në mos për tu angazhuar në këto fusha, për të qenë individe të kulturuar në fushat që do definojnë të ardhmen e botës.

This site was designed with the
.com
website builder. Create your website today.
Start Now