©2019 by alphaPlan. Proudly created with Wix.com

Përshëndetje, unë jam Ori.

Një i ri shqiptar që prej 7 vitesh tashmë jetoj buzë Silicon Valley-t, e pothuajse përditë përplasem me trendet më të reja në fusha nga më të ndryshme që preken nga teknologjia, fillimisht rastësisht, e më pas me deshirën time të plotë.

Këtu jeton edhe Aleksandri, – te cilit i pëlqen ta thërrasin Bello – e prej 2-3 vitesh tashmë të dy ne mundohemi të shtjellojmë se cfarë është që e bën këtë vend kaq dinamik, e se cfarë mund të sjellim në vendin tonë nga këtu për t’i dhënë një shkëndije mendimit inovativ edhe në Shqipëri.

 

Këtu në Silicon Valley ne po shikojmë një lëvizje shumë interesante përgjate këtyre pikave:

  • Zhvlerësimi i institucioneve tradicionale akademike (“think degree” ne Shkenca Kompjuterike që kushton $200k), dhe shfaqja e mënyrave alterantive të edukimit (p.sh. lambdaschool.com);

  • Remote working – shumë kompani janë “remote-first.” Me përmirësimin e teknologjisë (aplikacione si Zoom, Slack janë vetëm maja e ajsbergut) dhe me rritjen e globalizimit kjo do të bëhet normalja e re. Nuk po flasim më për dikë që punon remote me disa mini-projekte, por kompani multi-milion dollarëshe që kanë si bazament një skuadër të shpërndarë globalisht;

  • Produkte sa vjen e më të fuqishme që po ndërtohen nga skuadra sa vjen e më të vogla (indiehackers.com);

  • Ekonomitë në zhvillim dhe “software eating the world” – nuk kemi parë as 1% të impaktit që do të ketë software në shoqëri, sidomos në ekonomitë në zhvillim, që janë të pjekura tashmë për inovacion.

Shumë lojtarë në Silicon Valley dhe më gjerë, e kanë pikasur këtë trend, dhe po investojnë fuqishëm nëpërmjet lambda school (YC), pioneer (pioneer.app), Stripe përmes indie hackers/stripe atlas, etj. Silicon Valley i së ardhmes nuk do të jetë më një vend gjeografik, por një rrjet i shpërndarë individësh që i bashkon mendësia inovative - dhe po ndodh tani. Kërkesa për këtë trend të ri është shumë e lartë në të gjithë botën. Bootcamp-et ne ndertesat e downtown San Francisco-së për t’ju bashkuar këtij tregu të teknologjisë, gëlojne me pjesëmarrës.

Dhe në Shqipëri, Bello dhe unë mendojmë se ky trend po merr jetë goxha shpejt. Vetëm në 5 vitet e fundit mund të numërohen në tregun shqiptar një numër i lartë organizatash që suportojnë inovacionin në teknologji, si p.sh. inkubatorë dhe akseleratorë ideshë dhe start up-esh, por jo vetëm. Kështu që pse mos t’i ofrojmë këtij tregu kërkues në Shqipëri atë për të cilën ka nevojë, në një version që është provuar që sjell sukses?

 

Me Code for Albania, duke gërshetuar design thinking me aftësitë e programimit, në bashkëpunim me Code.X, themi se po i afrohemi shumë këtij trendi botëror. Është përgjatë këtyre akseve që ne mendojmë se po i japim jetë ekosistemit të inovacionit në teknologji në Shqipëri:

  • Krijimi i një rrjeti inovatorësh të rinj në Shqipëri (125-150 veta pas 5 vitesh) me aftësi teknike dhe mendimi kritik;

  • Angazhimi i diaspores shqiptare në teknologji – tashmë kjo diasporë është e pozicionuar fort, jo me disa individe sporadikë, dhe me shumë vullnet të mirë për të kontribuar në Shqipëri;

  • Ndërlidhja e programeve të Code.X globalisht (Palestinë, Kinë, Shqipëri dhe programe të tjera të së ardhmes).

A gjetëm ne kërkesën që pritnim për një program si ky këtë vit të parë të aktivitetit tonë? Patjetër që po! Jo vetëm që u arritën pritshmëritë tona, por ato u tejkaluan!

Code for Albania pati 200 aplikantë, nga 50 shkolla të ndryshme, të përqëndruara kryesisht në rrethin e Tiranës dhe të Korcës. Nga këta individë 52% ishin meshkuj dhe 48% ishin femra, statistikë që tregon që etja për teknologji i kalon kornizat konservatore të ndarjes së profesioneve në aspektin gjinor. Rreth 70% e aplikantëve tanë ishin nga shkolla publike, c’ka na tregon ne se aspekti socio-ekonomik është përtej shtrirjes që kjo shtysë për inovacion ka marrë në vendin tonë; e për të mbajtur këtë aspekt diversiteti ekonomik gjallë, alphaPlan me mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë arriti që ta ofronte Code for Albania pa pagesë për secilin pjesëmarrës.

Tashmë kampi i parë veror, i klasës së parë ndonjëherë të Code for Albania, po vjen drejt ditëve të fundit dhe mund të themi që po shikojmë materializimin e një entuziazmi që nuk e kishim imagjinuar të ishte kaq konkret. Këtë entuziazëm e shikojmë në sytë e cdo pjesëmarrësi në program, por edhe te prindërit e tyre, të cilet na falenderojnë për këtë mundësi që alphaPlan po u jep femijëve të tyre, por edhe vendit në tërësi.

Ne nga ana jonë duam të falenderojmë të gjithë ju që ndani një vizion kaq avantgarde për të ardhmen e vendit tonë dhe që bëni të mundur për ne të gjejmë një gjuhë bashkëpunimi për të sjell më të mirën e asaj që ne shikojmë jashtë vendit. Le ta përkufizojmë së bashku se cfarë do të thotë “Silicon Valley 2.0”!

This site was designed with the
.com
website builder. Create your website today.
Start Now